RSS

Festa e Flamurit në Mitrovicë

29 Nën

“Bjerma një pushkë”. Më këto fjalë i drejtohet Gëzimi, një ish-ushtar i UÇK-së të afërmit të tij. Brenda pak sekondash, në makinën me të cilën ne udhëtonim, bashkohet dhe “karabina”, në qytën e së cilës lexohej qartë “UÇK”. “Nuk i dihet si vjen puna andej dhe ndoshta do na duhet”,- na drejtohet me buzëqeshje Gëzimi. Mes frikës dhe ankthit, ngërdheshemi për të mos i lënë të kuptojë se ishim vërtet të frikësuar nga e gjithë kjo skenë. Makina, së bashku me ne dhe “karabinën”, nis udhëtimin drejt fshatrave të Veriut të Mitrovicës, të cilat janë të banuara nga serbët. Zilja e një telefoni, prish qetësinë e krijuar. Nga ana tjetër, një zë i shqetësuar diç i thotë udhërrëfyesit tonë, i cili merr një pamje serioze dhe i përgjigjet “Po vijmë”. “Djema, jeni me fat, pasi serbët sapo janë mbledhur në barrikada dhe ju do të keni mundësi të shihni vetë se çfarë bëhet atje.” Të tronditur disi nga këto fjalë, të cilat për hir të së vërtetës nuk e dinim nëse ishin fat apo një ogur i keq për ne, pohojmë me kokë dhe nisim udhëtimin drejt “sheshluftimit”.
Makina kalon në disa rrugë të paasfaltuara, duke kaluar sa nga një fshat serb në një shqiptar, duke parë kisha me kryqe të arta e xhami me minare të larta. Nga sa mësuam nga biseda, destinacioni përfundimtar ishte fshati Çabër, i cili është dhe fshati i fundit kufitar me serbët. Aty serbët kanë ngritur bllokadat e tyre dhe nuk lënë të kalojë asnjë mjet me targa kosove. Duke ecur mes shkrepash, një patrullë e KFOR-it na bën shenjë se nuk mund të ecim më tej pas ishte e ndaluar. Pavarësisht përpjekjeve tona, urdhri ishte i prerë, “askush nuk mund t’i afrohet fshatit pasi është me rrezik.” Gëzimi na e bën me shenjë të largohemi, pasi ai dinte një tjetër rrugë që mund të na nxirrte vetëm pak metra larg barrikadave. Si fëmijë të bindur hipim sërish në makinë, por këtë herë “karabina” ishte fshehur në bagazh.
Telefonatat e shumta ndërprisnin bisedat tona, duke na informuar në kohë reale në lidhje me atë çfarë po ndodhte. “Jemi në gatishmëri vëllau jem. Bëjmë roje çdo natë pasi nga momenti në moment mund të ndodh ndonjë gjë. Nuk flemë dot të qetë pasi shkjau mund të godasë në çdo moment.” Vetëm pak minuta më pas gjendemi në rrugën kryesore që lidhte fshatin Çabër me Zubin Potokun. 20 metra larg nesh, një blindë e KFOR-it vëzhgonte çdo lëvizje të turmës së serbëve, e cila gjendej vetëm 200 metra më poshtë, duke valëvitur flamujt trengjyrësh në ajër. Edhe këtu forcat e KFOR-it nuk lejonin avancimin më tej, por fatmirësisht pas disa bisedimeve arritëm të merrnim lejen për të fotografuar. Prania jonë, duket se i ra në sy serbëve, të cilët nisën patrullimin me dy automjete në drejtimin tonë. Pas disa metrash rrugë, ata u kthyen sërish pas, duke humbur mes turmës së irrituar të njerëzve. Ushtarët e KFOR-it na bënë me shenjë se ora e shfaqjes mbaroi dhe se duhet të largoheshim.
Rrugëtimi ynë vazhdon sërish, me Gëzimin, “karabinën” dhe një tjetër ish-ushtar të UÇK-së drejt një tjetër “pike të nxehtë” të Mitrovicës, Zveçanit, aty ku pak ditë më parë 21 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur si pasojë e sulmit me gurë të “para-militarëve serbë”. Sërish e njëjta situatë. Barrikada e zhavorrit ndaloi udhëtimin e mëtejshëm dhe sipër tyre të rinj serbë, të cilët na bënin me shenjë që të afroheshim. Ndryshe nga Çabëri, këtu nuk kishte asnjë forcë të KFOR-it dhe gjithçka ishte nën duart e serbëve. Lëmë pas krahëve “malet” e zhavorrit dhe së bashku me udhërrëfyesit tanë nisemi drejt asaj që me siguri është simboli i ndarjes së Mitrovicës, “Ura mbi lumin Ibër”.
Gjatë rrugës, na informojnë se në Çabër kishte ndodhur në përplasje e ashpër mes forcave të KFOR-it dhe serbëve, ku kishin mbetur të plagosur së paku 4 ushtarë dhe disa banorë. Fatkeqësisht nuk mund të ktheheshim më atje, por edhe nëse do ta binim një gjë të tillë, blindat nuk do na lini të afroheshim.
Mbërrijmë në Mitrovicë. Qendra e Mitrovicës është e zbukuruar aty këtu me flamuj kombëtarë, por atmosfera e festës nuk ndihet dhe aq. Dyqanet, së bashku me artikujt e tyre kanë ekspozuar dhe flamurin kuq e zi. Flamuj valëviten dhe në disa banesa, por asgjë e organizuar nga Komuna e Mitrovicës. Mes urimeve dhe këngëve patriotike marrim drejtimin për në Urë. Forcat e karabinierëve italianë, të cilët kanë në kontroll këtë zonë, irritohen dhe na vërsulen sapo ne tentojmë të nxjerrim një flamur kombëtar dhe të bëjmë disa foto me të mbi urë. “Jo, jo, jo nuk lejohet. Mos provokoni. Mos nxirrni flamurin, pasi ata mund të nisin të qëllojnë me gurë” – na ulëret një karabinier italian. Situata u tensionua disi, pasi disa kalimtarë të rastit u revoltuan nga ky fakt dhe i kërkuan së bashku me ne shpjegime karabinierëve, por ai sërish justifikohej me arsyen e “provokimit”. “Ata na gjuajnë me gurë, na shajnë, ndërsa ne nuk bëjnë asgjë. Vetëm se nxorëm një flamur dhe ju e quani provokim? Turp t’ju vijë”, – i derdhet i nevrikosur një burrë i moshuar.
Distancohemi disi nga karabinierët për të evituar çdo konfrontim me ta dhe këqyrim imtësisht atë çfarë ndodhte pas barrikadave. Flamuj serbë në të gjitha anët e urës, persona që qëndronin në katet e sipërme dhe vëzhgonin çdo lëvizje tonën. “Ata na shohin çdo sekondë me dylbi. Shohin çdo gjë që bëjmë ne” – na tregon një kalimtar i rastit, i cili vuri re vëzhgimin tonë në majat e pallateve.
Ura e Ibrit, është simboli i gjallë i ndarjes së një populli, një qyteti, një kombi duke lënë në atë anë mijëra shqiptarë, të cilët ndihen të rrezikuar çdo sekondë nga reagimi ekstremist i disa individëve që kanë zbarkuar muajt e fundit në Veri të Mitrovicës. Ata heshtin, nuk dalin dot në rrugë, nuk valëvisin dot flamurin e tyre (qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës). Askush nuk kujdeset për ta, por kujdesen si e si që pakicat minoritare të kenë të gjitha kushtet dhe të mos u mungojë asgjë. “Serbët dhe të gjitha minoritetet e tjera jetojnë qindra herë më mirë se kosovarët. Ata kanë rrymë 24 orë, nuk paguajnë taksa, nuk paguajnë dokumente për makinat, nuk paguajnë asgjë. Me pak fjalë ata jetojnë si mbretër, ndërsa detyrohemi të rrimë orë të tëra pa energji elektrike dhe të paguajmë çdo taksë të shtetit. Nëse Serbia do të më ofronte mua kushtet që kanë serbët sot në Kosovë, atëherë të jeni të bindur që unë do merrja familjen dhe do shkoja të jetoja atje, pasi s’do më duhej të kisha asnjë shqetësim.” – deklaron Afrim Dobrani, një banor i Mitrovicës, i cili së bashku me Gëzimin u kthye në udhërrëfyesin tonë. Shqetësimi i tij vihet në dukje dhe nga shumë banorë të tjerë të Mitrovicës, të cilët nuk janë dakord me politikat që ndiqen ndaj tyre.
Afrim Dobrani, i cili prej shumë vitesh ka jetuar në Gjermani, merr përsipër që të na takojë me një mikun e tij, banesa e të cilit gjendet vetëm 20 metra larg atij që presupozohet të jetë kufiri mes serbëve dhe kosovarëve. Gani Gërxhaliu, jeton së bashku me familjen e tij në Zveçan, vetëm pak metra larg banesave të serbëve. Pasiguria për jetën ndihet në familjen e tij, aq sa ai na tregon se çdo natë qëllon në ajër për t’u treguar serbëve se aty ka banorë. Por pavarësisht kësaj, provokimet janë të shpeshta. “Siç e shihni dhe vetë, unë jetoj ngjitur me shkjaun. Çdo natë ata afrohen deri tek oborri i shtëpisë sime, gjuajnë me gurë, shajnë dhe shpeshherë qëllojnë në ajër me armë. Ky është ritual i përditshëm që ndodh këtu. Por pavarësisht të gjitha këtyre gjërave unë nuk do largohem kurrë nga kjo shtëpi, pasi është toka ime, është vendi im dhe s’do lë që të bjerë në duart e shkjaut me të cilin kemi luftuar për vite të tëra.” – tregon Gani Gërxhaliu.
Pas bisedës miqësore me të, ai na fton në shtëpi, ku jeton së bashku me bashkëshorten dhe 3 fëmijët e tij. Bisedat kalonin sa tek situata në Mitrovicë, në gjendjen në Shqipëri, për të vazhduar me urimet për Festën e Flamurit. “Në qytet, siç e keni parë, nuk ka shumë atmosferë dhe janë vetë njerëzit ata që kanë zbukuruar qytetin. Atmosfera është shumë e vakët, ndryshe nga 1 ose 2 vite më parë, kur në fakt duhet të ishte e kundërta. I gjithë qyteti duhet të ishte i mbuluar me flamuj për t’u treguar të gjithëve se kjo tokë ka zot dhe se ne, Kosovë e Shqipëri, jemi një dhe do të bëhemi një komb shumë shpejt.”– shprehet Gërxhaliu. Mes urimeve për bashkimin e trojeve shqiptare, i marrim leje të zotit të shtëpisë për t’u larguar, pasi misionit tonë në Mitrovicë i kishte ardhur fundi.
Endemi sërish rrugëve të Mitrovicës në kërkim të atmosferës së festës. Përveç grupimit “Tifozët Kuq e Zi”, të cilët kishin ngritur një stendë me bluza e shalle me simbole kombëtare, të paktë ishin ata persona që shëtisnin rrugëve me flamuj në duar. Tek-tuk hasje grupe të rinjsh ose fëmijësh, të mbështjellë me flamuj, të cilët bëheshin në unitet me vitrinat e dyqaneve dhe lokaleve.
Në qytet, atmosfera ishte e zbehtë. Lajmet për atë çfarë ndodhte në barrikada përhapeshin me shpejtësi mes burrave që gjerbnin kafe ose çaj, përtypnin fara ose endeshin pa destinacion rrugëve të Mitrovicës. Flamujt e paktë valëviteshin nga ajo pak erë që përkëdhelte ditën e djeshme qytetin.
Ura e Ibrit ishte aty. E rrethuar me forca të shumta policie, masivë gurësh dhe dy flamuj në të dyja anët e saj. Kuq e zi në jug dhe blu, bardhë, e kuq në veri. Në ditëlindjen e saj të 99-të, shqiponja dy krenare ndihej e pafuqishme për të shtrirë krahët e saj anembanë trojeve ku flitet, dëgjohet, qahet, lutet dhe shahet shqip..

 

Rreth Albanian under my eyes

Journalist
1 Comment

Postuar nga më 29 Nëntor, 2011 te Reportazh

 

Një Përgjigje te Festa e Flamurit në Mitrovicë

  1. Gani Gerxhaliu

    12 Janar, 2012 at 16:43

    jeni nje media shum e mrekullueshme dhe guximtare,sepse ne Kosov ka akoma njerez te cilet nuk e kan guximin te kalojn ne pjesen veriore ndersa ju gjetet guximin dhe kohen per ta vizituar veriun dhe neve qe jetojm afer shkjaut mu ne prag te festes se flamurit ton kombetar. Ju uroj sukses te metejshem dhe sa me te guximshum mediave tuaja,ju lumt 24 news

     

Lini një Përgjigje

Fill in your details below or click an icon to log in:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

 
Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.