RSS

Kisha Ortodokse përplaset me OMONIA-n: Të hiqet busti i Aristotel Gumës

10 Gus

Busti i Aristotel Gumës, i vendosur prej dy ditësh në oborrin e objektit të kultit, ka shkaktuar një përplasje të fortë mes Kishës Ortodokse dhe përfaqësuesve të minoritetit grek në Shqipëri. Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri, duket se ka habitur si shqiptarët, ashtu edhe grekët e mbledhur me himn e flamur bardh’ e blu në oborrin e kishës së Himarës, për të nderuar të aksidentuarin e një viti më parë, të “pagëzuar” prej tyre si hero të Vorio-Epirit. Shprehu pa asnjë rezervë “diplomatike” vendimin e tij për mbylljen e kishës së Gjithë Shenjtorëve në Himarë, përsa kohë busti i Aristotel Gumës do të qëndrojë në oborr dhe braktisi ceremoninë, duke u kthyer pak orë më vonë në “tabelë qitje” për qarqet nacionaliste e bashkëpatriotët e tij grekë. “Nuk u kërkua leja për të vendosur bustin e etno-martirit himariot në pjesën përreth kishës së Gjithë Shenjtorëve. Ju himariotët e keni zakon të shkelni mbi tokën e Kishës. Vijnë edhe ca nga Greqia, që me praninë e tyre këtu duan që të shkaktojnë trazira nacionaliste. Kjo kishë nuk do të funksionojë për aq sa jashtë është busti…” -ishin disa nga fjalët që tha mitropoliti Dhimitri, para se të largohej nga ceremonia. Vendosmëria e tij për të mos cenuar rregullat e Kishës, në emër të asnjë kauze, do të komentohej në sitet e ekstremistëve pro Vorio-Epirit si: “Ai bëri si dem i tërbuar kur pa bustin të mbuluar me flamurin grek, ndërsa u fut në kishë dhe iu kundërvu fajtorëve dhe të pafajshmëve”. Kritikat e tyre nuk kanë kursyer as kreun e Kishës Ortodokse në Shqipëri, Anastas Janullatos, për të cilin thonë se “është frikësuar nga pala shqiptare dhe bashkë me mitropolitin e Gjirokastrës po përpiqen të ndalojnë përplasjet etnike”. Edhe gazeta greke Proto-Thema i ka kushtuar hapësirë përplasjes mes Kishës Ortodokse dhe organizatorëve të ceremonisë për Gumën, ku ndër më aktivët ishin Vasil Bollano e Vangjel Dule. E përjavshmja më e madhe në Greqi e shikon këtë incident si ndryshim kursi në “politikën” e Mitropolisë së Gjirokastrës, për shkak se kreu i saj Dhimitri ka ambicie për të pasuar Janullatosin në fronin e Kishës shqiptare. “Mitropolitit i Gjirokastrës, Dhimitri, refuzoi të marrë pjesë në ceremoni, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të bustit nga oborri i kishës. Ai kërcënoi se kisha nuk do të kryejë aktivitet, derisa statuja të mbetet në atë vend”,- shkruan Proto-Thema. Gazeta citon pjesëmarrës në ceremoni, kur thonë se “Sjellja e Peshkopit Dhimitri të Gjirokastrës është si një përpjekje për të mos qenë në shënjestër nga nacionalistët shqiptarë, për shkak të ambicies së tij për të pasuar Anastasin në fronin e Kishës Shqiptare”. Ceremonia e përvjetorit të Aristotel Gumës dhe busti i bërë për nder të tij ka rikthyer edhe këtë verë “tallazet” e vjetra në Himarë. Përfaqësuesit e minoritetit grek kanë kërkuar fillimisht të vendosin bustin në vendin ku 35-vjeçari Guma ndërroi jetë, por ky akt u kundërshtua nga Këshilli Bashkiak i Himarës. Të gjendur në këto rrethana, organizatorët e ceremonisë dhe mjaft përfaqësues grekë, syresh të njohur për ekstremizmin e tyre, iu drejtuan Kishës, si të shkonin në shtëpinë e tyre. Ndoshta për herë të parë në këto vite, vendimi i Kishës Ortodokse i preu hovin misionit të minoritetit grek në Shqipëri, për të lartësuar një hero të Vorio-Epirit në oborrin e objektit të kultit në Himarë.

Letra e mitropolitit të Konicës: Himara do të jetojë në krahët e nënës Greqi
Gjatë ceremonisë përkujtimore për të ndjerin Aristotel Guma, të zhvilluar dy ditë më parë në Himarë, është lexuar edhe një letër e ardhur nga Mitropoliti i Konicës, Andreas, i cili bën thirrje nacionaliste për Vorio-Epirin. Mitropoliti i Konicës njihet si një prej mitropolitëve më nacionalistë të Greqisë dhe se të shpeshta kanë qenë rastet kur drejtuesi i saj Andreas ka lëshuar thirrje nacionaliste në drejtim të Himarës dhe zonave të tjera minoritare. E gjithë ceremonia e dy ditëve më parë është shoqëruar me thirrje pro Vorio-Epirit dhe Aristotel Gumës, por kulmi ka arritur gjatë leximit të letrës së peshkopit Andreas. Në letrën e tij, Mitropoliti i Konicës, Andreas tregon për sakrificat që kanë kaluar vëllezërit grekë të Himarës, të cilët për vite me radhë janë detyruar të refuzojnë kombësinë e tyre, por nuk e kanë mohuar shpirtin e tyre grek. “U bë një vit nga vrasja e Aristotel Gumës. Pas vrasjes së tij, po dërgojmë një mesazh për Himarën. Të pamposhtur dhe kokëlartë himariotët. Himara mbeti e paprekur nga ata që donin të vrisnin shpirtin e saj. Mbajti lart besimin, gjuhën greke, zakonet dhe traditat e saj gjithandej. Edhe përpara 70 vitesh, kur flamuri ynë bardhë e blu valvitej i lirë pas luftës me Italinë, Himara ishte në vendin e parë për Greqinë. Pastaj erdhën vite të vështira, por sërish Himara i tha jo torturave të komunizmit me shkak që të hiqte kombësinë greke, por jo shpirtin grek. Dhe kjo u duk te vrasja e Gumës. Guma donte të fliste i lirë greqisht, sepse ishte grek kokë e këmbë dhe prandaj u vendos vrasja e tij” – thuhet në letrën e Mitropolitit, të lexuar para përfaqësuesve të minoritetit, por edhe emisarëve të ardhur nga Greqia. Në mesazhin e dërguar prej tij, Mitropoliti i Konicës, Andreas, edhe këtë herë nuk ka kursyer thirrjet heleniste dhe Vorio-Epiriote. Ajo që ra në sy ishte mesazhi i tij për të ardhmen e Himarës, ku, sipas tij, ajo do të bashkohet në krahët e “nënës Greqi”. “Sakrifica e Gumës do ju ndihmojë për lirinë dhe kombësinë tuaj. Himara do të fitojë dhe do të jetojë në krahët e nënës Greqi. Flamuri grek do të valëvitet i lirë në vendin tuaj. Qoftë i paharruar kujtimi i Gumës. Rroftë Himara. Rroftë Greqia. Rroftë Vorio-Epiri.” – mbyllet letra e Mitropolitit të Konicës, Andreas. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe diskutimet e shumë të pranishmëve në ceremoninë e së dielës, ku folësit e cilësonin ngjarjen si vrasje etnike dhe Aristotel Gumën si hero të kauzës së Vorio-Epirit. Nuk janë të paktë njerëzit e kishës dhe të organizatave radikale greke që vazhdojnë të bëjnë thirrje për bashkimin e Greqisë me atë pjesë të Shqipërisë së jugut, që ata e cilësojnë Vorio-Epir. Incidentet e së shkuarës në Himarë tregojnë se kjo ëndërr e kahershme e nacionalistëve grekë nuk është shuar.

Mitropoliti i Gjirokastrës: Në Himarë u shkel rendi kishtar
Vendosja e bustit të Aristotel Gumës në oborrin e kishës së Himarës cilësohet si shkelje e rendit kishtar nga Mitropoliti i Gjirokastrës. Në një reagim për MAPO-n, zyrtarë të Mitropolisë pohuan se ishte e vërtetë që peshkopi Dhimitri kishte kërkuar largimin e bustit nga oborri i kishës së Gjithë Shenjtorëve në Himarë. “ Është çështje e rendit kishtar, i cili duhet ruajtur dhe atje është shkelur. Jo vetëm është shkelur territori, por është shkelur rendi kishtar. Respekti ndaj kujtimit të viktimës mbetet maksimal, qëndrimet e kishës janë të qarta në lidhje me atë çështje. Ndërsa në lidhje me vendosjen e bustit, themi që është çështje e cenimit të rendit kishtar” – bëri të ditur një burim zyrtar nga Mitropolia e Gjirokastrës. Një nga arsyet e reagimit të fortë kundër nga ky institucion i Kishës Ortodokse është fakti se organizatorët nuk kanë kërkuar fare leje, për vendosjen e bustit në oborrin e Kishës. Burimi i MAPO-s shton se nuk mund të bëhen veprime pa pasur një marrëveshje mes dy palëve. Për palën tjetër, Mitropolia e Gjirokastrës shprehet e paqartë se cila është. “Nuk mund të bëhen gjëra pa u marrë vesh, pa u sqaruar dhe pa pasur konkluzion të përbashkët me të interesuarit, për të cilët në këtë moment nuk jam i qartë se kush janë” – u shpreh burimi i kontaktuar nga MAPO. Pavarësisht të gjitha problemeve të hasura, bëhet e ditur se nga ana e kishës së Himarës e gjitha çka parashikon zhvillimi i përkujtimoreve, u krye sipas të gjitha rregullave kishtare, duke nderuar viktimën Aristotel Guma në 1-vjetorin e vdekjes së tij.

 

Rreth Albanian under my eyes

Journalist
1 Comment

Postuar nga më 10 Gusht, 2011 te Aktualitet

 

Një Përgjigje te Kisha Ortodokse përplaset me OMONIA-n: Të hiqet busti i Aristotel Gumës

  1. Mazar dino

    11 Gusht, 2011 at 16:28

    rip ai vdiq nga aksident makine nuk ka lidhje fare me propaganden e felliqur greke.

     

Lini një Përgjigje

Fill in your details below or click an icon to log in:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

 
Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.