RSS

Aristotel Guma/ U prehtë në paqe! Αναπαύσου εν ειρήνη

08 Gus

Vdekja e të burrëruarit nuk quhet vdekje. Kështu shkruhet në bustin e të ndjerit Aristotel Guma, i cili i mbuluar me flamurin grek u vendos ditën e djeshme në hyrje të kishës në Himarë. Emri i Gumës do të mbahet mend për një kohë të gjatë, pasi ngjarja e lidhur me emrin e tij zgjoi te shumë nacionalistë helenë ëndrrën e kahershme për Vorio Epirin. Rregullat e mortit u shkelën. Për “nacionalistët e sëmurë” pak rëndësi kishte emri i të vdekurit dhe aq më pak arsyeja e vdekjes së tij. Për ta vdekja kishte prapavijë nacionaliste. “E vranë se foli greqisht”; “Shqiptarët vranë birin tonë”; “Aristotelis Gumas u vra për gjuhën e tij”… këto e dhjetëra tituj të tjerë kishin mbushur faqet e para të gazetave të shtetit fqinj dhe aq më shumë faqet në internet. Atyre u duhej një martir për të rizgjuar qëllimet e tyre të errëta dhe ata e gjetën, e sajuan dhe e formësuan një të tillë. Aristotel Guma u aksidentua (qëllimisht ose jo, kjo i mbetet drejtësisë për ta saktësuar). I ndjeri Guma nuk humbi jetën për gjuhën e kombit të tij, pasi ai ndodhej në kombin e tij. I ndjeri Guma nuk e humbi jetën as për gjuhën e kombit fqinj, i cili për hir të së vërtetës është qindra kilometra larg Himarës. Aksidenti tragjik, që i mori jetën 35-vjeçarit, ka ardhur për shkaqe tejet banale, të cilat thuhen dhe nga vetë goja e bashkëqytetarëve të tij.
I vdekuri asnjëherë nuk shahet, gjykohet apo keqpërdoret. Ky ligj i pashkruar, por i trashëguar brez pas brezi, nuk gjeti zbatim 1 vit më parë, ku huliganë bllokuan rrugët dhe abuzuan me viktimën. Për ta rëndësi kishte që i ndjeri fliste greqisht dhe menjëherë kryefjala e vrasjes ishte “vrasja për shkaqe nacionaliste”. Për ta nuk kishte rëndësi nëse Guma, por edhe gjithë familjarët e tij, në kolonën e Kombësisë kishin të shkruar “Shqiptar” dhe jo “Grek”. Aq më tepër, për ta nuk kishin rëndësi lotët e familjarëve, por vetëm synimi i tyre për ta transformuar këtë ngjarje në një pikënisje të betejës për atë që ata e quajnë “Vorio Epiri”. Por a do donte vërtet Aristotel Guma që emri i tij të përdorej për një betejë me “mullinjtë e erës”? A do donte vallë i ndjeri Guma që, sa herë të përmendej emri i tij, të ngjalleshin ndjenjat e urrejtjes mes shqiptarëve dhe ekstremistëve grekë? Askush nuk di t’i japë një përgjigje këtyre pyetjeve… as në shqip as në greqisht. Është pikërisht kjo mospërgjigje që i jep akoma më shumë zemër nacionalistëve të sëmurë që të vazhdojnë të ngrenë flamurin e betejës për Vorio Epirin. Një vit më parë, të gjithë dënuan ngjarjen. Duke nisur që nga krerët më të lartë të shtetit tonë, të cilët për asnjë moment nuk guxuan të përmendnin se vrasja kishte prapavijë nacionaliste, pasi nuk kishte një të tillë. Por nuk reaguan kështu homologët e tyre helenë, të cilët menjëherë nxituan ta quanin makabre ngjarjen dhe se ishin cenuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Sikur të mos mjaftonin deklaratat në erë, të politikanëve helenë, të nxitura më së shumti nga OMONIA, LAOS-i, por edhe SFEVA, edhe Hirësia e Tij Janullatos, i cili deri më parë nuk kishte reaguar për asnjë vrasje të shqiptarëve në shtetin grek, mori guximin dhe ta quante të rëndë këtë ngjarje dhe si një pikë krisje mes komuniteteve fetare në Shqipëri. Dje, busti i të ndjerit Aristotel Guma u vendos në hyrje të Kishës Ortodokse në Himarë, edhe pse ai u vra qindra metra më tej. Nën tingujt e himnit grek, përfaqësues të lartë të Ambasadës Greke në Tiranës, politikanëve shqiptarë por edhe përfaqësues të shoqatave që punojnë për Vorio Epirin, zbuluan bustin e punuar në Greqi me portretin e të ndjerit Guma. Askush, në Himarë apo kudo qoftë, nuk do më beteja të kota; askush nuk do më nxitje urrejtjeje dhe përdorimin e një emri si flamur të saj. Aristotel Guma kërkon të prehet në paqe në tokën e tij, por janë grupe njerëzish që dhe në varr nuk e lënë të qetë. Αναπαύσου εν ειρήνη – U prehtë në paqe!

 

Rreth Albanian under my eyes

Journalist
2 Comments

Postuar nga më 8 Gusht, 2011 te Aktualitet

 

2 Përgjigje te Aristotel Guma/ U prehtë në paqe! Αναπαύσου εν ειρήνη

  1. baci

    9 Gusht, 2011 at 15:10

    me duken pa kuptim keto argumente.nuk mberi ti kuptoje dhe ti shpiegoje

     
    • Albanian under my eyes

      9 Gusht, 2011 at 16:04

      Nuk shoh asgje qe mund tju duket e pakuptimte. Eshte thjeshte nje shkrim qe kerkon qe mos te perdoret emri i nje te vdekuri si flamur per beteja te kota qe askush nuk i do.
      Ky eshte i gjithe thelbi i shkrimit

       

Lini një Përgjigje

Fill in your details below or click an icon to log in:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

 
Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.