RSS

Arnautllëk, shqiptarët e Turqisë, ose në kërkim të “Poçarit”

15 Maj

Një President turk në mes të viteve ‘90 bënte shaka me Presidentin shqiptar kur i thoshte: “Unë drejtoj më shumë shqiptarë sesa ju”. Për rast ai President kishte një dell shqiptari. Në Turqi jetojnë 4 milionë shqiptarë, edhe pse pak prej tyre vazhdojnë të identifikohen si të tillë. Turqia është kështu shteti i dytë pas Shqipërisë, për nga numri i banorëve shqiptarë, megjithëse me një komunitet që zor se identifikohet… Një zë në bokse na njofton se avioni për në Stamboll niset pas pak dhe se duhet të vrapojmë për në daljen numër 4. Me pasaporta dhe me çanta në duar nisemi drejt daljes ku pas saj, na pret autobusi i aeroportit. Pas disa sekondash udhëtim komod me autobus, si rrallë herë në Shqipëri, ndalojmë përpara shkallëve. 23 shkallë deri në derën e avionit, për të lënë pas krahëve Shqipërinë dhe për t’u drejtuar drejt një tjetër Shqipërie po aq të madhe sa ajo me qendër në Tiranë.

Rreth 1 orë e 30 minuta udhëtim dhe më në fund mbërrimë në Stamboll. Aty ku 15 milionë banorë shkelin çdo ditët trotuaret e këtij qyteti, aty ku pafundësia e njerëzve të deh dhe ku aroma e kebapit të vel.
Lëmë pas krahëve zhurmat e Stambollit dhe drejtohemi drejt hotelit. Në recepsion na priste një vajzë e këndshme, e cila me të parë pasaportat tona, u drejtua nga ne dhe miqësisht buzëqeshi duke na thënë: “Ahh, arnaut”. Një tundje koke nga ana e jonë, mjaftoi për t’i lënë të kuptoj se turqishtja jonë nuk ishte e mjaftueshme për të komunikuar me të. Por dikush prej nesh me humor nisi t’i radhis turkeshës “librin e kuzhinës”, duke i përmendur një sërë gatimesh, të cilat ishin në turqisht. Mes buzëqeshjes turkesha syzezë na shpërndau çelësat e dhomave, duke na lënë të kuptojmë se ora e mësimit të gjuhës turke kishte përfunduar tashmë…
Në përhumbjen e vargjeve, nisëm të imagjinonim se si mund të ishte turkesha që kish njohur Dritëro Agolli dhe a kishte të përbashkëta me turkeshën tonë. Por mendimet tona u ndërprenë nga hapja e derës së ashensorit… Pas një gjumi me shumë ëndrra me turkesha, ushtarë osmanë dhe Skënderbeun, u zgjuam nga zilja e telefonit të dhomës. Nga ana tjetër e receptorit një zë i ëmbël na flet duke na thënë se dikush ju pret në recepsion.
Faik Uyanik është emri i guidës sonë gjatë udhëtimit 5-ditor në Stamboll. Faiku është një ndër gazetarët më të njohur në Turqi, pasi prej disa vitesh është transferuar në Londër ku punon si gazetar pranë seksionit turk të BBC-së. “Merhaba arkadash” na përshëndet miku ynë turk dhe me një shtrëngim duarsh na uron mirëseardhjen në Stamboll.
Pas një kafe në hotel dhe pas disa batutave të shkëmbyera me mikun tonë turk, nisi rrugëtimi ynë në pafundësinë e sokakëve. Faiku nis të na tregojë disa të dhëna në lidhje me shqiptarët, të cilët prej shekujsh janë vendosur në Turqi dhe në lidhje me integrimin e tyre në jetën turke. Sipas tij, në Turqi regjistrohen rreth 4 milionë shqiptarë, të cilët tashmë nuk kanë asnjë diferencim nga pjesa tjetër e popullsisë. “Historia ka treguar se Turqia dhe Shqipëria kanë pasur lidhje të shkëlqyera me njëra-tjetrën, lidhje të cilat mund të quhen dhe si një vëllazëri mes dy kombeve. Mendoj se kjo miqësi duhet të merret shembull nga shumë shtete të tjera ballkanike, por jo vetëm”, – rrëfen Faiku. Pas dhjetëra-dhjetëra telefonatash më në fund, miku ynë turk arrin të na gjejë disa shqiptarë që jetonin në Stamboll.
Qamil Bytyçi është emri i personazhit tonë të parë. Rreth të 50-ave Qamili na tregon se ka ardhur në Turqi kur ishte veç 4 vjeç, por shqipja e tij, nuk tregonte kurrsesi një gjë të tillë. Edhe pse kishte ardhur në Stamboll në një moshë fare të vogël, ai fliste një shqipe të rrjedhshme, aq sa për t’u pasur zili dhe nga ne. “Të parët që kanë ardhur në Stamboll nga Prishtina, kanë qenë gjyshërit e mi së bashku me 7 fëmijët e tyre, ku bënte pjesë dhe im atë. Më pas komuniteti ynë është zgjeruar, pasi rreth vitit ’72 ka ardhur dhe vëllai i gjyshit së bashku me familjen e tij”. Më tej Qamili na tregon se si arriti ta ruante aq mirë gjuhën shqipe dhe se si një gjë të tillë po e pasonte dhe tek fëmijët e tij. “Fati im ishte që shkollën e lartë ta kryeja në Prishtinë, gjë kjo që më ndihmoj shumë që të perfeksionoja gjuhën. Edhe pse prindërit e mi flisnin veç shqip, ambienti që më rrethonte bëri të vetën dhe dalëngadalë arrita ta harroja gjuhën”.
Qamil Bytyçi ose Kamili, siç njihet në Turqi, prej vitesh është ka filluar të punojë si përkthyes për të gjithë shqiptarët që vijnë në Turqi, përfshi këtu dhe delegacione shtetërore, qofshin këto shqiptare apo kosovare. Gjatë bisedimit me të e pyesim në lidhje me shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe ai na thotë po të njëjtën shifër si miku ynë turk. “Janë rreth 4 milionë shqiptarë, të cilët jetojnë në Turqi. Pjesa më e madhe janë vendosur në Stamboll, Ankara, Bursa, Izmir dhe Adana. Madje në Adana është një fshat i tërë i përbërë nga shqiptarë. Më përjashtim të imamit të xhamisë dhe të disa personave të tjerë, të gjithë flasin shqip. Më duhet të them se këtu në Turqi, shqiptarët jetojnë si të gjithë shtetasit turq dhe nuk kanë asnjë problem që mund t’i shkaktohet nga kombësia e tyre. Turqit i duan shumë shqiptarët, pasi kanë parë prej vitesh të tëra se asgjë e keqe nuk i ka ardhur prej tyre”.
Në rrëfimin e tij, ai na tregon se gjuhën shqipe ai e ruan me fanatizëm dhe një gjë të tillë ka nisur t’ua “injektojë” dhe fëmijëve të tij. Djali i tij, Berati, siç na tregon ai e flet shumë mirë shqipen dhe ndihet krenar për këtë fakt dhe e thotë më mburrje që jam shqiptar. Qamili prej vitesh është sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Vëllazëria turko-shqiptare” e cila është themeluar që në vitin 1952 nga Xhemal Arianiti. “Shoqata është shumë aktive dhe një gjë e tillë pasqyrohet në aktivitetet e shumta që ajo zhvillon. Çdo datë 28 nëntor dhe tashmë çdo 17 shkurt, në zhvillojmë aktivitete të shumta në kuadër të këtyre festave kombëtare. Shqiptar nga të gjitha anët e Stambollit mblidhen bashkë dhe festojnë me flamurin kombëtar në sfond”. Ai na tregon se kjo shoqatë ka tre degë në të gjithë Turqinë, në Stamboll, Ankara dhe Elaziz së fundmi. Në lidhje me degën e Elazizit mësojmë se ajo është ngritur pas kërkesës së bërë nga ish-Atasheu Ushtarak në Ambasadën e Turqisë në Shqipëri, i cili kishte të ëmën shqiptare. Por Qamili na tregon dhe një tjetër aktivitet të zhvilluar nga kjo shoqatë, i cili ka bërë shumë bujë në mediat vendase, por dhe ato greke. “Vjet, më 27 qershor, jemi mbledhur përpara Konsullatës greke, me flamuj shqiptarë në duar dhe kemi protestuar për çështjen çame. Reagimi në shtetin grek, mesa mësuam ishte shumë i madh, aq sa një deputet kishte kërkuar mbylljen e një gazete greke që kishte publikuar këtë lajm”. Në fund të takimit me të, Qamili na tregon me shumë kënaqësi se prej pak kohësh kishte hapur një kurs për gjuhën shqipe për fëmijët e vegjël. “Deri më tani duket se po ecën mirë. Kam rreth 20 nxënës të cilëve u mësoj një herë në javë shqip dhe natyrisht që falas. Me gjithë dëshirën e madhe të tyre dhe këmbënguljen time, sërish janë prindërit ata që duhet t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe”.
Ndahemi nga Qamili dhe drejtohemi për tek një tjetër shqiptar. Rusen Inan, i ardhur që në moshën 3-vjeçare nga Mitrovica, është një ndër avokatët më të njohur në Stamboll. Zyra e tij ndodhet në katin e pestë të një prej ndërtesave në qendër të qytetit. Sapo hymë në zyrën e tij, na bie në sy një flamur shqiptar, i cili është vendosur përkrah atij turk. Sapo ulemi në zyrën e tij, Ruseni, ose Luani siç e ka pasur emrin kur ka ardhur në Turqi, na pyet nëse dëshironin diçka për të pirë. Me buzëqeshje i drejtohemi duke i thënë se nuk i paska harruar traditat e mikpritjes së shqiptarit. Me një shqipe jo fort të mirë, avokati na tregon se traditat i ruan me shumë fanatizëm, pasi ato tregojnë identitetin e tij shqiptar.
Pasi na servir një gotë çaj, Ruseni nis të na pyes në lidhje me situatën në Shqipëri e Kosovë, duke na mahnitur me sasinë e informacioneve që kishte në lidhje me atë çfarë ndodhte në vendin tonë. Biseda u zhvendos rreth të ardhmes së Shqipërisë dhe Kosovës, ku avokati u shpreh hapur se ishte për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare, të cilën ai e quajti “Shqipëria e të parëve”.
Gjatë bisedës, Ruseni na tregon në lidhje me ardhjen e tij në Turqi dhe vizitat e shpeshta që kryente në Kosovë tek të afërmit e tij, por shpeshherë ai mendohej për një kohë të gjatë deri sa të gjente fjalën e duhur në shqip. “Kam ardhur në Turqi kur isha veç 3 vjeç dhe prej 29 vitesh punoj si avokat. Por pothuajse 2-3 herë në vit shkojë në Kosovë ku takohem me të afërmit e mi, të cilët jetojnë ende atje”. Ai na tregon se në punën e tij i është dashur që të ketë shumë klient shqiptar, të cilët kanë kryer krime të ndryshme në Turqi, por kryesisht për trafik droge dhe shprehet se nuk i vjen mirë kur bashkatdhetarët e tij dënohen nga gjykatat turke. “Puna ime që prej 29 vitesh është që të ndihmojë ata që kryejnë krime, por sa herë më vjen një shqiptar, bëhem keq, pasi nuk dua që njerëzit e mi të përfundojnë keq. Përpiqem që të bëjë më të mirën time për t’i lehtësuar sado pak dënimin, por ka raste kur përfundojnë shumë keq”.
Si pa kuptuar, kaluan rreth 2 orë duke biseduar me avokat Rusenin dhe ka afruar ora e drekës. Teksa përpiqemi të largohemi nga zyra e tij, në të cilën herë pas here hynin njerëz të shumtë, por që “përcilleshin” nga avokati, Ruseni na ndalon dhe nuk lejon që të largohemi pa ngrënë dhe drekën me të. Pavarësisht këmbënguljes sonë, avokati nuk na lejoj të largoheshim dhe porositi drekën për të gjithë ne. Përshëndetemi me avokatin, i cili na premtoi se shumë shpejt do të vinte në Shqipëri dhe marrin rrugën e kthimit.
Lëmë pas krahëve stacionin e trenit, në të cilin kanë zbritur shqiptarët e parë që prekën tokën turke, duke u përpjekur të kthehemi pas në kohë dhe të imagjinojmë vuajtjet dhe mundimet e tyre.
Diku në një lagje të Stambollit, një burrë i moshuar po mbante në dorë një vazo. Ndalojmë dhe vështrimin e fiksojmë tek ajo vazo e murrme, e cila dukej sikur na ftonte ta blinim. Trokasim në derën e dyqanit, por i moshuari nuk hodhi asnjë vështrim nga ne. “Më falni. Mos jeni ju poçari i Dritëro Agollit?…. Vazoja ra në tokë dhe u nda në 25 copë…”.

 
2 Koment

Postuar nga më 15 Maj, 2010 te Reportazh

 

2 përgjigje ndaj “Arnautllëk, shqiptarët e Turqisë, ose në kërkim të “Poçarit”

  1. xhevat, Murseli

    30 Maj, 2010 at 14:21

    une me disa shoke kame themeluar nje union gjithshqiptare per institucionalizimin e diaspores shqiptare, dua te bej kontakt me shoqaten shqiptare vllazeria ne turqi,
    posaqerisht me Qamil bytyqin, lujutem me ndihmoni per ket kontakte, me shkruani ne: xh_mursel@hotmail.fr

     
  2. Pingback: I paemër

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

 
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: